Lëkurë E Ndriçuar Edhe Në Dimër Me 6 Hapa

Një ndër gjërat gjërat që e bën lëkurën të duket më e re dhe e freskët është edhe shkëlimi natyral (jo nga yndyra) dhe pamja e plotë / hidratuar. Një shkëlqim të tillë gjatë verës është shumë më e lehtë ta fitojmë, nga hidratimi i lëkurës nga jashtë dhe brënda, duke pirë shumë më shumë ujë (apo dhe e preferuara ime, duke ngrënë shalqi deri sa të pëlcasë), por edhe nga vetë klima e përshtatshme dhe lagështia e ajrit.

Ndërkohë, në dimër ndodh komplet e kundërta me lëkurën. Nga thatësia e ajrit, i ftohti, dehidratimi, lëkura fillon ta humbi shkëlqimin, bëhet më e ashpër dhe pa jetë. Por, ja që s’na duhet të presim deri në verë për ta rikthyer këtë shkëlqim. Mjaftojnë disa ndryshime të vogla në rutinën tonë që ta kemi lëkurën on point përseri.

1) Zëvendësoni larësin e fytyrës me një tjetër më hidratues

Nëse pas larjes së fytyrës, ndjenja që ju lë larësi është një tërheqje e lëkurës apo djegie / kruarje e lehtë, atëherë është koha për ta ndryshuar larësin tuaj. Një ndjesi e tillë është padyshim si shkak i tharjes së lëkurës, dhe në këtë rast ideal janë larësit vajor, të cilët pastrojnë fytyrën nga make up e papastërtitë dhe nuk e thajnë atë.

Nëse bezdiseni nga ndjesia vajore ne fytyrë, mos u merakosni sepse egziston një larës vajor i cili shpërlahet me ujë. Për ata që nuk e kanë dëgjuar, Gel To Milk Cleanser është një larës fytyre me përbërje vajore, i cili në kontakt me ujin kthehet në qumësht dhe nuk lë vaj në lëkurë. Si përfundim, fytyra pastrohet nga make up e papastërtitë dhe ndjesia e lënë është një butësi e pazëvendësueshme. Më besoni, ata që e përdorin Gel To Milk, bëjnë be me të!

2) Ndryshoni paisjet për pastrimin e fytyrës

Photo: The Konjac Sponge

Nëse përdorni aksesorë të ndryshëm (elektronik ose jo) për pastrimin e fytyrës, gjatë dimrit zëvendësojini ato me paisje për lëkura të ndjeshme / thata. Për shembull, nëse përdorni sfungjer nga rrënja e konjacut me karbon bamboo-je dhe e ndjeni sikur lëkura juaj është më e thatë, atëherë kaloni tek sfungjeri me argjilë rozë. E njëjta gjë edhe me paisjet për pastrim (Clarisonic apo Foreo psh) përdorni opsionet më të buta, për lëkura te ndjeshme dhe thata.

3) Bombardojeni lëkurën me hidratim gjatë natës

Koha ideale për aplikimin e vajërave në fytyrë është në mbrëmje, para gjumit. Jo vetëm sepse gjatë ditës mund t’ju shkëlqejë lëkura më shumë se që duhet, por më e rëndësishmja sepse në mbrëmje lëkura vetë rigjenerohet, dhe merr me të mirën e të gjitha produkteve (efektet jane shumëfish më të dukshme).

Një mënyrë shumë e mirë e aplikimit të vajërave në lëkure pa e ngarkuar atë (gjë që e praktikoj vetë gati çdo natë dhe është mmmm s’di si ta shpreh me fjalë!) është aplikimi i vajit i fundit me rradhë, pasi keni mbaruar të gjithë hapat e rutinës suaj të mbrëmjes (larës, tonik, serum, krem sysh, krem nate). Por, e gjithë hilja është tek mënyra e aplikimit. Nuk vendoset vaji direkt në lëkurë duke e fërkuar / masazhuar. Në rast të tillë duhet të shpërlahet pas pak minutash, për të mos bllokuar poret. Mënyra ideale është duke vendosur vetëm dy-tre pika vaj në pëllëmbë të dorës, i fërkojmë duart me njëra tjetrën që të ngrohet vaji dhe të marri temperaturën e trupit dhe e vendosim në fytyrë dukë e shtypur me duar, jo duke e fërkuar apo masazhuar.

4) Investoni në një krem hidratues të mirë

Në dimër lëkura ka nevojë për më shumë hidratim se në verë dhe ky është një fakt që përveç shumë i dëgjuar, edhe e ndjejmë vetë në lëkurë. Prandaj, kremi hidratues është shumë i nevojshëm që të ketë përberje më të plotë ushqyese e hidratuese, sidomos me përbërës që pengojnë edhe humbjen e lagështise nga lëkura. Duke qenë se qëndrojmë më gjatë në ambiente me ajër të kondicionuar, është shumë më e lehtë të humbet lagështia nga lëkura, dhe në këtë rast na vjen në ndihmë një krem me kompleks çeramidesh në përbërje.

Çeramidet jane një kompleks yndyrnash natyrale të lëkurës të cilat ndodhen në hapësiren intraqelizore (ndërmjet qelizave). Me fjalë më të thjeshta, çeramidet janë si mur rrethues që pengojnë lëvizjen e lagështisë (ujit) jashtë lëkurës. Janë e kundërta e glicerinës, e cila përthith lagështinë nga ambienti i jashtëm – brenda në lëkurë. Prandaj, një krem ideal për dimër ka në përbërje edhe kompleks çeramidesh e glicerinë bimore përveç përbërësve të tjerë ushqyes e hidratues.

5) Bëni scrub më shpesh

Kur lëkura thahet qelizat e vdekura shtresohen mbi lëkurë. Në këtë rast, çdo produkt kozmetik që ne vendosim në lëkurë nuk bën efektin e duhur pasi nuk arrin të përthithet mjaftueshëm. Në të njëjtën kohë, edhe lëkura mërr një pamje si pajete / pa shkëlqim. Prandaj, scrub i fytyrës na vjen në ndihmë në këtë rast. Mund ta bëni me nje produkt scrub me bazë kremi ( edhe hidratues ) ose me produkte të tjera si sfungjerët nga rrënja e konjakut. Sfungjerin mund ta zgjidhni sipas llojit tuaj të lëkurës dhe merrni dhe efektin specifik për llojin tuaj të lëkurës. Pas pastrimit të qelizave të vdekura nga fytyra, ndriqimi i lëkurës është i pashmangshëm!

6) Shtoni një dozë “artificiale” shkëlqimi

Photo: Alima Pure

Pasi të kemi bërë të gjithë hapat e mësipërm, çdo lloj makeup-i do të ngjajë bukur në lëkurë. Por, një doze ekstra shkëlqimi nuk ka vrarë njeri, prandaj mund të bëjmë dhe diçka ekstra për të “verbuar” pak më ndriqimin tonë.

Një ide e mirë është kombinimi i fondatinës me 1 pikë vaj argani. Vaji i shton efektin hidratues por dhe shkëlqimin fondatinës.
Por, nëse keni lëkurë të yndyrshme, mund të aplikoni fondatinë kompakte dhe sipër, tek zonat e kockës poshtë syrit, majës së hundës dhe sipër buzëve mund të vendosim highlighter të përzier me një pikë vaj argani. Në këtë rast highlighter në formë pluhuri është më praktik për të bërë kombinimin.

Këto ishin disa mënyra që dhe unë në përditshmëri mundohem ti ndjek për të pasur një lëkurë që ndriqon edhe gjatë dimrit, edhe pse jo të gjitha njëherësh. Nëse keni dhe ju ndonjë truk tuajin që e praktikoni, më tregoni duke shkruar koment më poshtë. Do jem në super pritje për idetë tuaja! 😀

 

 

Leave a Reply